Nënshkruhet marrëveshja për financimin 12 milionësh për KRU Hidromoravën

Ministri Murati, Ministri Aliu dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KRU Hidromorava z. Ymer Salihu kanë nënshkruar sot marrëveshjen për kanalizimin e 12.4 milionë euro për KRU Hidromorava. Ky financim mundësohet përmes marrëveshjes “Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit” me Bankën Botërore, dhe parasheh investime të ndryshme në fushën e ujërave dhe shërbimeve ujore.
Financimi do të përdoret për rehabilitimit dhe modernizimin e infrastrukturës kritike të sistemit të ujësjellësit Hidromorava. Përkatësisht, projekti mundëson blerjen, zëvendësimin dhe instalimin e pajisjeve që përmirësojnë efikasitetin e energjisë, zvogëlimin e humbjeve të ujit, si dhe vendosjen e kontrollit efikas mbi sistemet e ujësjellësit.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është tejet me rëndësi për regjionin e Anamoravës, pasiqë përforcon kapacitetet e KRU Hidromorava për menaxhimin e integruar të ujërave, përmirëson sigurinë e ujërave në pellgun e Moravës së Binçës, si dhe përmirëson shërbimet e ofruara për qytetarët nga KRU Hidromorava.