
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, duke u bazuar në nenin 4 paragrafi 3.6 dhe nenin 21 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-042 për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, nenin 28 të Ligjit Nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës, si dhe nenin 5 dhe nenin 13 të Rregullores Nr. 10/2019 për Standardet Minimale të Shërbimeve të Ujit në Kosovë, nenin 18 të Rregullores Nr. 06/2016 për Ndërprerje nga Shërbimet e Ujit në Kosovë dhe nenin 4 të Rregullores Nr. 16/2025 për Licencimin dhe Kushtet e Licencës për Ofruesit e Shërbimeve të Ujit në Kosovë, me qëllim të mbrojtjes së furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm gjatë sezonit veror, me datën 01.06.2026, nxjerr këtë:
V E N D I M Për ndërmarrjen e masave të përkohshme për ndalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm gjatë sezonit veror
Ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm nga sistemi publik i furnizimit për: 1.1. pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera publike apo private; 1.2. larjen e automjeteve; 1.3. ujitjen e kopshteve, livadheve dhe tokave bujqësore; 1.4. mbushjen e pishinave; 1.5. çdo përdorim tjetër që nuk ka për qëllim nevojat themelore të konsumit njerëzor.
Të gjithë ofruesit e shërbimeve të ujit obligohen që: 2.1. të rrisin monitorimin dhe kontrollin në terren; 2.2. të identifikojnë dhe evidentojnë rastet e keqpërdorimit të ujit të pijshëm; 2.3. të ndërmarrin masa për ndërprerjen e furnizimit me ujë në rastet e shfrytëzimit që bie në kundërshtim me pikën 1 të këtij vendimi dhe legjislacionin në fuqi, 2.4. në rastet e ndërprerjes së furnizimit me ujë sipas pikës 2.3 të këtij vendimi, për ndërprerjen dhe rilidhjen e shërbimit do të aplikohen tarifat sipas legjislacionit dhe tarifave në fuqi; 2.4. të bashkëpunojnë me komunat dhe institucionet kompetente për zbatimin e këtij vendimi; 2.5. të zhvillojnë fushata vetëdijësuese për përdorimin racional të ujit të pijshëm.
Arsyetim
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, në ushtrimin e kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-042 për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit dhe aktet nënligjore në fuqi, ka vlerësuar se gjatë sezonit veror paraqitet rritje e konsiderueshme e konsumit të ujit të pijshëm, e cila ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin dhe sigurinë e furnizimit publik me ujë
.

