Nënshkruhet marrëveshja për grant në vlerë 11 milionë euro

Kompania Rajonale e Ujësjellësit «Hidromorava» do të përfitojë grant 11 milionë euro për të ndërtuar impiantin e ujërave të zeza dhe për të rehabilituar kanalizimin në rajonin e Gjilanit.
Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Ymer Salihu së bashku me Zëvendës Ministrin e Ekonomisë z. Getoar Mjeku, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e mirëkuptimit që përcakton përgjegjësitë dhe shfrytëzimin e mjeteve për realizimin e projektit, i cili financohet me kredi nga Banka Evropiane për Investime.
Projekti do t’u shërbejë 110 mijë banorëve të qytetit të Gjilanit dhe viseve përreth, duke mbrojtur mjedisin, burimet ujore dhe shëndetin publik. Investimi i planifikuar do të ulë dukshëm sasinë e ujërave të zeza që derdhen drejtpërdrejt në lumenjtë e rajonit.